Tuesday, December 18, 2012

Koha rrjedh
Mbi qiejt pa kokë të indiferencës së kohës shkruaj me gërma të trëndafilta kohën e ekzistencës time aktuale 9.56 minuta po vete e 57. Fillimi i një revolucioni shpirtëror, mbase është rilindja, mbase fundi im, rrjedhja graduale e përditshmërisë sime. Piedestale frike më shoqërojnë si gardianë në një burg pa qeli, në një burg që të mbyt me hapësirën gjigande të tij. Buza ngec mbi një belbëzim:- Po ikën…Mundohem ta kap prej fustani, por ajo ka veshur pantallona.
10.00. Tinguj pa muzikë thurrin simfoninë e një homazhi pa sy, por verbëria më duket sikur e tejkalon verbërinë e tij. Flatra, copëza të një skenari të thyer në brigjet e identitetit tim. I mbledh . Përpara duarve formohet një shigjetë e drejtuar përpara: 10.06. E pashë, më buzëqeshi, iku, erdhi prapë. Jam duke kundruar 7 liqenet e kohës sime. Shumë të ngjashëm, jashtëzakonisht të ndryshëm. Metropole alatropike të krijuar nga shumëllojshmëri kohësh, nga kohërat e mia. 10.10, një ankand kohësh. Koha po shet minutat e saj. Xhepat e mi janë bosh. Nuk kam lekë të ble disa minuta. Ja, në fund të tij gjeta një monedhë një lekëshe me të cilën mund të blija një gjysmë minute.
Thirrje lënguese dëgjoja përpara këmbëve, Thirrja e një njeriu që kërkonte jetë. I nevojitej ajo gjysmë minute e imja. Ia dhashë. U fundosa bashkë me rrezikun e tij. Ajo ikën…. Rrobat e reja m’u lagën nga ajo fundosje. Balta e rrjedhës së kohës më ndot këpucët. Shpejtësia e rrjedhës së saj më lustron prapë. Tani jam paralel me të, ja, ia kalova, jam në fillim. Më buzëqeshi me ironi, më talli, më tha:
-Atë që e quajmë fillim shpesh herë është edhe fund, dhe të përfundosh diçka do të thotë ta fillosh.
Me veten zvarrë shkova në fillim të startit.
-Nisu!

No comments:

Post a Comment