Tuesday, December 18, 2012

Dyshimi


Ata u ulën përballë dhe porositën gjërat e zakonshme, dy kafe ekspres, bashk me dy gota ujë me akull.
- Je mirë? – pyeti më i gjati. Bjere ta ndezim njëherë. Ai mori nga paketa e saponisur cigaren, e pasi e lagu me pështymë, filloi ta thithte gjithë afsh.
- Mirë - tha burri mesatar, si gjithmonë me pamje të shpërqendruar dhe me vështrimin e tretur diku përtej gjërave që dukeshin.
- Të bëjmë marrveshjen e fjalës njëherë; sepse kështu kuptohemi më mirë; asnjëherë mos të mendojmë se kemi plotësisht të drejtë, fundja ne kurrë nuk mund të kuptojmë a kemi të drejtë apo jo. Dyshimi është gjëja me e keqe, ai të brenë si dreqi, megjithatë duke dyshuar njerëzit kanë bërë shumë punë të mira, edhe të këqija njëkohësisht. Njerëzit dyshues janë krejt të pavendosur, tinzarë, mosbesues, brerës. Por jo çdo dyshues është i pavendosur. Më thuaj emrin e një Dyshuesi të Madh?
- Të një dyshuesi shqiptarë apo të huaj?
- Jo, të një të huaji.
- Stalini.
- Po, ishte dyshues, sepse po të mos ishte, nuk do të bënte aq shumë mizori.
- Tjetër?
- Enveri.
- Edhe ai, madje ai dyshonte tek çdo gjë dhe për gjithçka. Tek të gjithë, bashkëpunëtorët, miqtë, shokët e armëve, të huajt. Por ai nuk kishte vetëm dyshimin. Ai ishte edhe shumë mizor, tinzar, brutal dhe i zgjuar.
- Nejse, të mos flasim për gjëra që dihen, mos ndoshta gjërat duhen të ndahen pak më ndryshe? Ja, unë mendoj se punët duhen ndarë në dy pjesë, ose më mirë të themi në dy kapituj të mëdhenjë. Të mira dhe të këqija. Nuk do shumë mend për të bërë këtë lloj ndarjeje. Të mirat janë të dukëshme, të prekshme, njerëzore dhe shumë transparente. Të këqijat? Përsëri nuk do shumë mend për t’i kuptuar kush janë. Ato kanë gjithmonë hijen e dyshimit, janë gjysëm të vërteta, të mbuluara me mister, asnjëherë nuk thuhen me saktësi, por janë veshura me një tis herë herë naiv, gati budalla. Shpesh ato merren të mirëqena, si aksiomat. Asnjëherë për të këqijat nuk është folur siç duhet, gjithmonë ka pasur shumë dyshime. Edhe lajmet për ato nuk janë të plota, gjithmonë lajmi fillon me: “Thuhet se...”. Të nesërmen po për këtë lajm të keq ka edhe një shtojcë, ose një ndryshim të vogël, fare të parëndësishëm në dukje. Detaji gjithmonë lihet gjysmak, jo i plotë, në mënyrë që të ndryshohet në çastin e duhur. E kështu e keqja rritet e rritet, ngadalë, derisa një ditë ajo bëhet aq e madhe, sa mund të shembë edhe perandori. Kështu duket se e ka pësuar edhe Roma.
- Pra, ti mendon se dyshimi është i keq? Ti mendon se unë jam njeri dyshues?
- Ti nuk je dyshues, ti je i pavendosur. Kjo ka një ndryshim. Dyshuesi mund të bëjë përpara, i realizon qëllimet, ndërsa i pavendosuri gjithmonë i lë në mes punët, ai shpesh herë nuk i nisë fare ato. I pavendosuri beson vetëm tëk ato gjëra që besojnë shumica e njerzëve. Ka raste kur i pavendosuri, në kundërshtim me ato çfarë i thotë llogjika, vepron kundër me bindjet e tij, thjeshtë sepse kështu vepron shumica, kështu është prirja e përgjithshme, kështu është moda.
- E drejtë, më ka ndodhur....disa herë. Por të vazhdojmë, sonte mendja ime më thotë se ti po punon me të gjitha fuqitë. Jepi!
- Thua ia vlen të filozofojmë për gjëra që ne i shohim përditë, i jetojmë përditë, por nuk bëjmë përpjekjen më të vogël për të ndryshuar diçka? Ne pranojmë si fakt se duhet të na drejtojnë dy maskarenj, tre hajdutë, katër mafioz, pesë të shitur dhe njëqind të korruptuar? Nuk kanë rendëesi shifrat, mund t’ua ndryshosh vendet por thelbi nuk ndryshon. E kështu, ditë pas dite, ne ecim si nëpër mjegull, në një kaos të vogël e të pisët, rritemi në këtë mjedis kanceroz...
- Po?
- Por më e keqja nuk mbaron këtu! Madje kjo është e keqja më e madhe. Çfarë do lëmë pas? Unë nuk mendoj për mijevjeçarin e katërt, unë nuk e vras mendjen hiç se çdo të ngjajë pas 1000 vjetësh. Por, më dhemb shumë për fëmijët e mi, sepse ata rriten krejt pa siguri, e ardhmja u kalon para syve si nëpër filma, e shohim të dy ne se si po shkatërrohet ajo, e shohim të gjithë ne, e sodisim me endje; por nuk levizim as gishtin e vogël për të ndryshuar diçka. Turp, shumë turp për ne. Unë të paktën këto fjalë do t’i shkruaj sonte. Ndërsa ty po të lutem, hajde edhe nesër të pijmë kafen bashk. Se çfarë ke një gjë të veçantë ti, unë nuk mund ta them, por unë hy në mendime sa herë e pijmë kafenë bashk. Ti më nxitë, ti je katalazatori i mendimeve të mia. E thash bukur?
- Bjere ta ndezim edhe njëherë! Tani nuk dyshoj më tek kafja dhe bisedat filozofike!
- Ti tallesh, si gjithmonë.
* * *
- Mbrëmë, pasi u ndamë, unë dyshova tek ato që biseduam mbrëmë. Ti i sheh gjërat shumë zi, shumë përmbys. Nuk më pëlqen hiç mendimi yt negativ. Ne po rritemi. E sheh se si po shqyhen rrugët e Tiranës? E sheh se përditë po ndërtohen pallate të reja? I ke parë lulishtet se si po rriten çdo ditë? Pastaj, nuk e di, ne nuk folëm mbrëmë për më kryesoren, çështjen kombëtare. Ne, po e arrijmë ëndërrën tonë. Kosova doli pothuajse, shqiptarët në Maqedoni janë faktor real, po kështu bota jonë është bërë e rëndësishme në Ballkan; do të thosha edhe më gjerë, në Europë dhe Amerikë. Pse të mos thuhen punët ashtu siç janë?
- E drejtë. Ke të drejtë për të gjitha, për një arsye të thjeshtë. Sepse jemi 6 milion shqiptarë. Këta njerëz jetojnë, gjallojnë, lëvizin, lindin dhe rriten. E meqë ndodhin të gjitha këto në këtë hapësirë, nuk ka dyshim se ne ecim, zhvillohemi, rritemi.
- Ke dëgjuar për kanibalizimin tek kafshët? Luanët hanë këlyshët e vegjël të çifteve të tjera, të familjeve të tjera. Kjo për të çuar genin e vet përpara, për të mbijetuar rraca e tij brenda llojit.
- Mos do të thuash se ne jemi një botë luanësh?
- Jo, në jemi një botë njerzore në zhvillim, ashtu siç the edhe ti pak më parë. Ndoshta ti ke të drejtë, ne vërtetë po rritemi, po plotësohemi, po përparojmë.
- Atëherë?
- Por unë dyshoj. Sonte jam unë dyshuesi. Unë, së pari dyshoj edhe për praninë tënde këtu. Mbase ti mendon se unë me këto biseda dua të bëj përpara. Mbase ti dyshon se unë po i afrohem ndonjë force politike? Apo dyshon se unë rri me njërëz të rëndësishëm e mbase synoj për ndonjë karrierë? Apo unë jam porositur të shfaq mendime të tilla, e ndoshta edhe mund t’i hedh ndonjë ditë në ndonjë shkrim timin? Në të vërtetë ti më ke mësuar të dyshoj për gjithçka e në çdo kohë. Unë asnjëherë nuk dyshoja tek...ta zëmë dashuria. Tek dashuria familjare, vëllazërore, njerëzore. Madje as tek një njeri në rrugë nuk kam dyshuar kurrë. Shpesh herë më kanë mashtruar njerëz krejt të panjohur, për gjëra shumë banale. Ua kam falur. Unë nuk e dija se tjetri edhe kur flet përballë, në mendje bluan njëmijë mendime në sekondë me qëllimin e vetëm për të “zbuluar” qëllimin t fjalëve të mia. Në një kohë kur unë flisja drejt për drejt, pa asnjë paramendim. Ka ndodhur që tjetri është tërhequr i fyer, sepse në mendjen e tij, me fjalët e mia ka thurur krejt “intrigën” time. E kupton? E kupton?
Të dy burrat heshtën, sepse dyshimi i tyre kishte arritur kulmin. Ata tani dyshonin për çdo gjë, që tek fjalët, e deri tek gjestet. Por nuk kishin prova për dyshimet e tyre.
- Ta ndezim edhe njëherë!- thanë të dy njëzëri. Për këtë nuk kishte pikë dyshimi.

No comments:

Post a Comment