Tuesday, December 18, 2012

Politik (mendimi djathtas)

Që kur shoqëria njerzore filloi të përdorë pasuri natyrore, më të fortët zotëronin më shumë të mira materiale. E gjithë kjo arrihej vetëm në sajë të forcës dhe mendjes. Rendja drejt pasurisë, drejt të pasurit në zotërim mjete dhe prona për të prodhuar këto të mira materiale është në thelb të natyrës njerzore. Duke qenë se prona është gjithmon një siguri më shumë, njerzit krijuan ligje dhe ndërtuan shtete, që në thelb janë masa mbrojtese për të ruajtur këto prona në zotërim. Këtë gjë e bënë që në fillimet e organizimit ne shtete, duke kaluar nëpër të gjitha fazat e rendeve shoqërore. Mjafton të hedhësh një vështrim të shpejtë, dhe menjëherë shihet qartë se gjithmon ata që janë marrë me politikë janë djathtas, zoterojnë prona, i mbrojnë ato, dhe ligjet që krijohen janë në funksion të mbrojtjes së ketyre pasurive. Pa dashur të shkohet më tej për gjëra që dihen, në thelb politika ka qenë dhe mbetet monopol i të djathtës. 
Ndarja e shoqerisë njerzore në klasa, nuk ishte asgjë tjetër, vecse lindja e një klase të re politike, e nje grupi të ri shoqëror të shtresëzuar në klasë, për të zotëruar edhe këta të mira materiale, pra politika filloj të shihet si një instrument që të bën të pasur. Duke vazhduar këtë linjë mendimi, nuk ka se si të mos thuhet: e majta duke shkuar drejt pushtetit nuk bën asgjë tjeter vecse shkon drejt mendimit djathtas, veprimit djathtas. Eshtë krejt tjetër gjë rruga që ndiqet, shumë herët me anë të luftërave, pushtimeve, ideologjive fetare, teorive revolucionare, revolucioneve dhe komunizmit. Shpesh herë keto ideologji nuk janë më të mirat, nuk janë të drejta, shkojnë ndesh me natyren njerzore dhe sjellin aq shumë tragjedi, sa krejt historia njerzore është e mbushur me lumenj gjaku që rëndojnë vertet shumë në ndergjegjen planetare. Rendja drejt pushtetit në thelb mbetet qellim në vetvete, jo ideologji, jo idealizëm, por thjeshtë është pragmatiste. Ideologjitë në të vetvete janë më shumë sisteme mendimi të ndërtuara shumë hollë mbi të cilat ndertohet rruga drejt pushtetit.

Po të shohim ata që përbejnë klasen politike në Shqiperi, që në pamje të parë dallohet shumë lehtë ajo cfarë u tha me siper. Kjo ndoshta edhe për shumë arsye specifike të krijimit të shtetit shqiptar. Pa marëe përsipër ndonjë analizë të thellë për historinë politike të Shqipërisë, por vetem të gjykohet për mbi ata që përbëjnë sot klasen politike, perfitohet një pamje e qartë që do te ishte pak a shumë kështu: 

Partitë politike tradicionale shqiptare tani pothuajse janë krejt të parendesishme në aspektin e peshës politike. Kjo per shume arsye, duke filluar që nga më e rëndësishmja; lufta e pamëshirëshme që iu bë ketyre forcave politike nga komunizmi. PPSH-ja nuk la asnjë mjet pa përdorur për të eleminuar kundershtarët politik. Ekuilibrat politik rajonal dhe botëror që u krijuan pas Luftes se Dyte ishin shumë favorizues për komunistet shqiptar, ideologjia komuniste ishte një plus për të shtuar gjakesinë dhe grykesinë për pushtet. Dhe me kryesorja, fitorja mbi fashizmin deri në një fare mase iu dha të drejtën e fituesit, që duhet të marrë pjesën e luanit në pushtetin e sapofituar. Eshtë e tepërt të thuhet që klasa tradicionale politike shqiptare u persekutua deri në monstuozitet. Kjo tashmë është lehtësisht e provueshme. 

Duke parë me shumë vëmendje lindjen dhe rritjen e komunizmit në Shqipëri vëren se në fillimet e tij ata që e përqafuan ishin kryesisht nga shtresa e pasur dhe e mesme e arsimuar e popullsisë. Gati të gjithë ishin të shkolluar jasht vendit, bijë pasanikesh të mesem, që të mbrujtur me idetë shumë joshëse për një Rend te Ri Botëror, për barazi sociale dhe drejtësi, në të vertet nuk kishin asgjë të përbashkët me bishën e "diktaturës se proletariatit" që do të vinte më vonë. Të përshkruash atë cfarë ndodhi pas viteve të para të Luftës është e tepërt. Komunistët shqiptar po shkonin drejt pushtetit, por rruga e tyre po mbulohej me gjak, dhe në themelet e kësaj ngrehine socialiste po flijoheshin shumë jetë njerzore, shumica të pafajshme. Për të kuptuar më mirë dështimin e kësaj ideologjie të frikshme, ndoshta duhet bërë një parashtrim tjetër. 
Cfarë ishte në thelb komunizmi? Sigurisht ishte një Ideologji. Terreni dhe koha kur lindi ishte mjaft pjellore, ishte koha e filozofive të mëdha, e përmbysjeve të mëdha. Revolucioni që filloi në France, do shtrihej në kohë dhe hapësire, dhe sidomos në kohën kur në horizont po shfaqej Nazizmi. Në Rusi ndodh Revolucioni i Tetorit, ndërsa pjesa tjetër e Europës ndodhej në valën e Luftës së Parë. Në krizen e madhe globale, Europa do te ishte vertet nje vater shume e mire per lulezimin e ideve komuniste, që tingellojnë shumë ideale edhe sot e kësaj dite. Kriza është e gjatë, dhe kjo gjendje do të vazhdojë deri në prag të Luftës së Dytë. Një arsye tjetër është padyshim nevoja për të përballuar Nazizmin. Ndoshta vetëm ai vrulli i madh revolucionar i komunistëve mund t'i bënte ballë makinës më të tmerrshme të luftës që kishte parë deri në atë kohë njerzimi. Në këtë kohë ndodh aleanca më e cuditshme, perëndimi kapitalist me komunizmin e lindjes janë perball nazizmit. 
Megjithë këta faktor që në të vertet të shtyjnë të mendosh se komunizmi është me baza shumë të forta, atij i mungonte një element shumë i rëndësishëm dhe thelbsor; prona private. Pra ata hoqën elementin kryesor mbi të cilin është ndërtuar e gjithë shoqeria njerzore. Kjo është e barabartë me shkuarjen kundër kohës, kësisoj nuk është as dielektike, teori mjaft e njohur kjo dhe e predikuar prej vet komunistëve. 

Duke i qendruar kesaj linje mendimi, pushteti per komunistët shqiptar ishte vërtet një konsolidim i pandalshëm dhe konstant i forcës dhe dijes së tyre. Ata krijuan shtresën e re të të arsimuarve, ligje që u shkonin shumë për shtat ideve dhe pushtetit që krijuan. Thellë në vetëdijen e tyre ata e besonin se tani e meritonin plotësisht pushtetitn dhe të mirat materiale që vinin prej tij. Ndryshimet e viteve 90' i gjetën në pikat më kyce prej nga mund të përfitohej, ata ishin në pozicionet më të mira prej nga mund të niseshin në garën e pasurimit. Thjeshtë, ata ishin në gjendje të përshtateshin më lehtë me kushtet e reja dhe avantazhet që të krijonte liria dhe ekonomia e tregut të lirë. Piksëpari ata e ruajten strukturën e tyre partiake, i ndërruan asaj emrin, ndryshuan programin, ndryshuan edhe kupolën udhëheqëse, por në thelb mbetën po ata, dmth ata ruajtën të paprekur shtresën që i mbështeste. Qenia në opozitë në vitet e para të demokracisë u dha mundësi që të "pastroheshin" nga mëkatet e 50 viteve, si dhe i forcoi shumë ekonomikisht. Riardhja në pushtet pas kësaj ata tani i ka bërë të pakapshëm, sa tani janë kthyer në pasanikët dhe shtresën më djathtas të shoqërisë shqiptare. Edhe ligjet që janë krijuar dhe krijohen në kushtet e reja të ekonomisë së tregut të lirë shumica u shkojnë përshtat pikërisht këtyre pasanikëve të "majtë".

No comments:

Post a Comment